Home / Politika / Absurditete të shumta të kësaj qeverisje me subvencione
Fatbardha_Selmani1

Absurditete të shumta të kësaj qeverisje me subvencione

Fatbardha Selmani, anëtare e kryesisë së PDK-së në Gjilan dhe anëtare edhe e Kuvendit Komunal ka thënë se buxheti i vitit të kaluar për subvencione nuk është shpenzuar racionalisht dhe drejtë, ashtu siç është planifikuar të shpenzohet për kategori të ndryshme.

Ajo ka qenë kritike në këtë çështje duke thënë se gjatë vitit 2015 nga ana e komunës, nuk janë subvencionuar mjaftueshëm kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë sonë, shoqatat e personave me aftësi të kufizuar, personat me nevoja të veçanta, organizatat e grave, klubet sportive dhe organizatat rinore.

“Është e papranueshme e joligjore që nga ana e kryetarit të Gjilanit janë subvencionuar biznese private, për organizimin e aktiviteteve kulturore me nga 6 mije euro dhe tjetra 7,717.00 euro, që nuk kanë qenë fare në agjendën e aktiviteteve kulturore të komunës së Gjilanit. Ndërsa në anën tjetër është subvencionuar me vetëm 350 euro, shoqata e të shurdhëve të Anamoravës…absurde”, thotë Selmani.

Sipas saj, mostrajtimi i meritueshëm, mos përkrahja e mjaftueshme financiare e organizatave të personave me nevoja të veçanta është diskriminim institucional dhe shkelje e të drejtave njeriut.

“Këta persona kanë shumë më shumë nevojë për mbështetje institucionale, jo vetëm me mjete financiare për ti subvencionuar aktivitetet e domosdoshme të tyre, por edhe për të dhënë hapësirë më shumë për ti punësuar këta persona, në institucione por edhe në kompanitë publike dhe ato private. Kjo mbështetje duhet të bëhet nga institucionet komunale’, ka thënë tutje Fatbardha Selmani e PDK-së.

Ndërsa kur jemi te kultura, Selmani thotë se Teatri i Gjilanit është në krizë të thellë, sepse aktorëve ende nuk iu është bërë në zgjidhje e qëndrueshme, kanë mbetur pa kontrata pune, ndërsa komuna ka disa dhjetëra punëtor (politik) me kontrata në vepër qe dy vite nëpër institucionet komunale. Mos planifikimi me kohë i buxhetit për pagat e aktorëve për vitin 2016, është injorim i madh i gjendjes së aktorëve të Teatrit. /RadioRINIA/

Fatbardha_Selmani