Republika Çeke dhe Greqia i kanë befasuar të gjithë, duke u bërë dy skuadrat e para që u kualifikuan në çerekfinale të ‘Euro 2012’. Grekët e mposhtën favoritin e grupit – Rusinë, kurse çekët ishin më të mirë se mikpritësi – Polonia.
Republika Çeke dhe Greqia janë dy çerekfinalistët e parë të Kampionatit Evropian ‘Euro 2012’, i cili po mbahet në Ukrainë dhe Poloni.
Këto dy skuadra kanë befasuar për të mirë në xhiron e tretë dhe të fundit, pasi që askush nuk priste që pikërisht ato të plasoheshin ndër tetë skuadrat më të mira në Evropë.
Grekët, kampionë të vitit 2004, e fituan ndeshjen më të rëndësishme të fazës së grupeve, ndaj favoritit të Grupit A – Rusisë. Golin e fitores për ‘Hellas’ e realizoi mesfushori Karagounis, në fund të pjesës së parë.
Madje, grekët rrezikuan edhe në pjesën e dytë, por që fitorja minimale u mjaftoi për të ecur përpara.
Në anën tjetër, rusët, që e nisën furishëm këtë kompeticion, tentuan në pjesën e dytë, por sulmet e tyre ishin shterpe.
Prandaj, ata do të rikthehen të zhgënjyer në shtëpi, edhe pse e përfunduan fazën e grupeve me 4 pikë, sa kanë grumbulluar edhe grekët.
Në duelin tjetër, Polonia pati një pjesë të parë të mirë, por në atë të dytë u dorëzua përballë çekëve, të cilët e gjetën golin e fitores në minutën e 72-të me anë të Jiracek.
Përkrahja e tifozëve ishte e pamjaftueshme për bardh e kuqtë, që i dhanë fund eksperiencës në këtë turne. Republika Çeke dhe Greqia, në çerekfinale do t’i presin dy skuadrat e para nga Grupi B.
Euro 2012
Grupi A
Rezultatet
Polonia – Republika Çeke 0:1
Greqia – Rusia 1:0
Tabela
1. Republika Çeke 6
2. Greqia 4
3. Rusia 4
4. Polonia 2
Radio Rinia Gjilan – www.radiorinia.com™ Radio që ua qetson zemrat tuaja



