Home / Fushata Zgjedhore / Derisa serbët përqafohen me Putinin- Kombit Shqiptar i vjen Bekimi nga Papa: Letra!
papa-fra

Derisa serbët përqafohen me Putinin- Kombit Shqiptar i vjen Bekimi nga Papa: Letra!

Në një kohë kur nga Serbia vijnë qëndrime raciste dhe fyese për shqiptarët, madje dhe nga autoritetet më të larta shtetërore dhe politike, Papa Françesku falenderon shqiptarët për pritjen e ngrohtë që i rezervuan në 20 shtator dhe thotë se populli shqiptar me vllazërinë dhe tolerancën fetare përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian.

Në një mesazh falenderimi drejtuar kreut të shtetit, Papa Françesku shprehet se udhëtimi I tij apostolik në Shqipëri do të mbetet I paharrueshëm.

“Zoti President, në vazhdën e udhëtimit tim të paharrueshëm Apostolik, dëshiroj t’ju shpreh edhe një herë Ju, autoriteteve të tjera si dhe mbarë popullit shqiptar, mirënjohjen time nga zemra për mikpritjen e ngrohtë dhe elegante që më ofruat mua dhe atyre që më shoqëronin. U kënaqa që nëpërmjet pranisë sime munda të tregoj afërsinë time si dhe të gjithë Kishës me popullin e Shqipërisë, i cili në saje të forcës dhe rezistencës së tij në kohë vuajtjesh si dhe të gjallërisë rinore, përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian”

Më tej në mesazhin e gjatë të falenderimit pwr presidentin Nishani, Papa Françesku inkurajon popullin e Shqipërisë të ruajë dhe kultivojë bashkëjetesën fetare, si një dëshmi mbresëlënëse e paqes dhe vllazërisë.

“Zoti President, nëpërmjet lutjeve ushqej shpresën time që ju dhe qytetarët tuaj do të jetoni me drejtësi, në paqe dhe vëllazëri dhe do të vazhdoni të dëshmoni në mënyrë mbresëlënse marrëdhëniet tuaja të respektueshme mes pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme fetare. Do të vazhdoj të lutem për ju si dhe për aspiratat tuaja për përparim autentik si dhe t’ju kërkoj lutjet tuaja për mua. Vëllazërisht, Françesku”. /RadioRINIA/