Home / Politika / Dieta e propaganduar e Kryetarit, vlen për qytetarët e jo për vetë atë‏
FOTO Gjilani - Konferenca

Dieta e propaganduar e Kryetarit, vlen për qytetarët e jo për vetë atë‏

Gjilan – Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan mbajti sot konferencë për media ku u fol për keqmenaxhimin njëvjeçar të Lutfi Hazirit me Komunën në përgjithësi, si dhe për problemet në fushën e kulturës dhe ato në infrastrukturë në veçanti.

Para një viti Haziri pati premtuar: përkushtim në punë, realizim të shumë projekteve, luftë kundër dukurive negative, kursim të buxhetit, transparencë, e të tjera. “Tani pas një viti mund të konstatohet se gjatë këtij viti Luta më shumë është marr me çështje të nivelit nacional, sidomos me bërje e zhbërje të koalicioneve se sa me punët që i takojnë një Kryetari të Komunës, si në mandatin e tij të parë kur “kontribuoi” shumë që vendit t’ia sjellë decentralizimin.

Me arsyetimin se Komuna ka shumë borxhe, Komuna ka realizuar pak projekte. Për shkak të kualitetit të dobët të punëve, pjesa më e madhe e atyre projekteve nuk janë pranuar teknikisht”, tha koordinatori i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Gjilan, Ismajl Kurteshi. Ai shtoi se respektimi i orarit të punës; mosrespektimi i procedurave, kritereve dhe ligjit me rastin e punësimeve; mosrespektimi i procedurave të tenderimit; mungesa e mbikëqyrjes së punëve të financuara nga Komuna; shpenzimet enorme të zyrës së kryetarit; mungesa e kushteve elementare të punës në shkolla siç ishte edhe mossigurimi me kohë i ngrohjes, riparimet e disa shkollave pas fillimit të vitit shkollor, hapja me vonesë e konkursit për pranimin e mësimdhënësve, shkeljet e shumta gjatë pranimit të drejtorëve të shkollave; angazhimi në vende udhëheqëse të atyre që janë dëshmuar për keqpërdorim të pozitës, falsifikim dhe mungesë të vizionit; regjistrimi pa kriter i nxënësve në shkollat e mesme; ndërtimet pa leje; mungesa totale e punës së inspektorëve; mungesa drastike e barërave esenciale; shkatërrime të pyjeve si rezultat i mungesës së përkujdesjes institucionale; udhëheqja e shumë drejtorive komunale me kryes detyre; zyrtarë të arrestuar për keqpërdorim të pozitës; ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve për shkak të paaftësisë dhe keq menaxhimit; mungesa e transparencës dhe e komunikimit; janë vetëm disa nga dukuritë që e karakterizojnë qeverisjen njëvjeçare të Lutfi Hazirit.

Lidhur me problemet në sferën e kulturës foli Sami Shabani nga Nënkomiteti për Kulturë. Problemet me kulturën në Komunën e Gjilanit, për dallim me trajtimin e përgjithshëm që i bëhet kulturës nga shoqëria jonë, janë edhe më të mëdha për shkak të pushtetarëve lokalë që e shohin atë si luks. “Shuarja e drejtorisë së kulturës dhe vënia e saj në kuadër të zyrës së kryetarit, do ta hedhë këtë sektor edhe më tej në margjina, sepse tani e tutje financimi i aktiviteteve kulturore do të varet nga disponimi i Kryetarit. Financimi edhe ashtu i pakët i aktiviteteve kulturore do të shndërrohet në mjet shantazhi ndaj njerëzve të kulturës. Artistët e shantazhuar nuk do të mund të jenë krijues të lirë”, tha ndër të tjera Shabani.

Ai më tej ngriti problemet si: mosfinancimi i Teatrit të Qytetit, ku qe 15 vite aktorët punojnë pa paga dhe pa plane afatgjate por vetëm me projekte të rralla dhe në kushte mjerimi; mosfunksionimin e Kinemasë së Qytetit tash e 15 vite; mungesa e galerive dhe hapësirave të përbashkëta ku artistët do të mund t’i ekspozonin punimet e tyre; mungesa e financimit të Ansamblit Muzikor, që funksionon pa kurrfarë mbështetje institucionale; bibliotekën ende të papërfunduar; mos ndërtimin e shtëpisë për të rinj, por vetëm vënien e gurthemelit të saj; mos renovimin e shtëpisë së kulturës në fshatin Përlepnicë, e të ngjashme.

Asambleistja Krenare Latifi-Kqiku nga Komiteti për Shërbime Publike, duke folur për problemet në infrastrukturë tha se investimet në këtë drejtim nuk po shkojnë sipas rendit logjik, pra së pari të rregullohet kanalizimi dhe ujësjellësi, e pastaj asfaltimi i rrugëve, por po ndodh e kundërta. “Për këtë arsye shumë shpet nëpër komunën tonë kemi prerje të asfaltit.

Kjo mënyrë e punës, përveç që e pengon qarkullimin e lirë të qytetarëve, po i kushton buxhetit të Komunës dyfish më shtrenjtë. Po ashtu, në shumë pjesë të qytetit dhe fshatrave të Komunës tonë mungon ndriçimi publik, e edhe në atë pjesë ku ka të vendosur, është jofunksional shpeshherë”, tha Latifi-Kqiku.

Lutfi Haziri edhe për vitin e ardhshëm po paralajmëron “dietë”, e kjo do të thotë se do të ketë pak investime kapitale. “Dieta” nuk do të vlen për Zyrën e Kryetarit, e cila i ka siguruar rreth 500 mijë euro për vitin e dytë të dietës për Gjilanin. Edhe Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, si “preokupim” me prioritet për vitin e ardhshëm e ka rritjen e mëditjeve të saj dhe këshilltarëve të tjerë komunal nga 50 në 100 euro. Këtë lloj të qeverisjes do ta ndalin sa më parë qytetarët e Gjilanit, edhe ata që më herët i besuan fjalëve të Lutfi Hazirit. /RadioRINIA/