Home / Politika / VV: Gjendja në shëndetësinë e Gjilanit është shumë e rëndë
IMG_2838

VV: Gjendja në shëndetësinë e Gjilanit është shumë e rëndë

Gjilan – Me qeverisjen e re, jeta e qytetarëve të Gjilanit jo vetëm që nuk është përmirësuar, por çdo ditë e më tepër po shkon duke u rënduar në të gjitha sferat, përfshirë edhe shëndetësinë. Shqetësuese është se shëndeti i qytetarëve të Komunës tonë nuk është as preokupim, e lëre më prioritet i kësaj qeverie, thone nga Lëvizja Vetevendosje ne Gjilan.

Përmirësim në këtë sektor nuk pritet as në vitin e ardhshëm, pasi që propozimi i buxhetit për vitin 2015 për sektorin e shëndetësisë nuk shkon në favor të shëndetit të qytetarëve të Komunës së Gjilanit. Për vitin 2015 janë të planifikuara më pak mjete për investime kapitale si dhe për mallra dhe shërbime. Derisa në këtë vit, shuma e mjeteve për investime kapitale është 148.000.00 euro, për vitin 2015 janë planifikuar vetëm 80.000.00 euro, ose 40% me pak. Ndërsa, shuma e mjeteve për mallra dhe shërbime këtë vit është 423.584.00 euro, e për vitin 2015 janë planifikuar 330.000.00 euro, ose për 25% me pak se këtë vit. Me këtë lloj planifikimi të buxhetit të shëndetësisë, Komuna po tregohet e papërgjegjshme karshi nevojave të qytetarëve për ngritjen e cilësisë së shërbimeve në shëndetësi. 
 
Gjendja është aq e rëndë sa që në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare si dhe ambulancat e fshatrave mungon edhe pambuku për dhënien e injeksioneve, e mos të flasim për barërat të cilat janë në mungesë çdo herë. Edhe ekipet emergjente shumë herë ballafaqohen me mungesë të disa barnave të cilat janë të domosdoshme për të shpëtuar jetën e pacientit siç është antishok terapia, ki vlersim vjen nga Besa Baftiu, deputete e Vetëvendosjes dhe Mirvete Kurteshi, ne konferencën e mbajtur për Media .
 
Gjatë 10 muajve të qeverisjes Haziri, kemi dështime të shumta në sektorin e Shëndetësisë, duke filluar nga vijueshmëria jo e rregullt e mjekëve neper ambulancat e fshatrave, mos funksionimi i disa ambulancave si që janë ambulanca e Livoqit të Epërm, Shurdhanit, e të tjera. Kurse, në Gjilan është një numër i madh i mjekëve të ri që presin punë. Në anën tjetër, në QKMF, numri i mjekëve dhe sidomos shefave është tejet i madh. Ka qenë rekomandim prej komitetit te shëndetësisë si dhe zotim i drejtoreshës së kësaj sfere se shumë shpejtë do të rihapet ambulanca në Shurdhan, mirëpo nuk ka filluar punën. Atje ku ka pas mjekë me orar të rregullt, tani punohet dy herë në javë siç është rasti në Cernikë.
 
Po ashtu, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DShMS) ka dështuar në projektin për dezinsektim, dezinfektim dhe deratizim të ambientit, të objekteve shkollore, shëndetësore e të tjera. Kjo ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të procedurave të tenderimit dhe anulimit nga ana e Kryetarit të Komunës, por në fund del se Komuna është e obliguar të paguaj kompensim kompanisë “Fauna” rreth 170.000.00 euro për një vit edhe përkundër faktit se nuk ka pasur dezisektim, deratizim dhe dezinfektim këtë vit.
 
Janë bërë pothuajse 5 muaj që DShMS nuk ka drejtor por vetëm ushtrues detyre, e këtë funksion e kryen drejtori i QKMF-së. Ky është konflikt interesi kur dihet se drejtori i DShMS-së e kontrollon punën e drejtorit të QKMF-së që në këtë rast i bie që drejtori duhet ta kontrollon vetë veten.
 
Gjendje aspak më e mirë nuk është as në Spitalin Rajonal të qytetit që udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë, tanimë e njohur për aferat korruptive, keqmenaxhuese ku dyshohet se është i përfshirë edhe vetë Ministri Agani. Në Spitalin Regjional të Gjilanit në vend që të shtohet ndonjë investim për përmirësimin e kushteve qoftë në infrastrukturë apo në burime njerëzore është investuar në hapjen e një kafeterie të re këto ditë.

Ne kërkojmë nga udhëheqjes komunal që urgjentisht të angazhohet në përmirësimin e gjendjes në shëndetësinë e Komunës së Gjilanit. /RadioRINIA/