Home / Politika / Inskenimi i rasteve nuk e ndalë përpjekjen tone për çlirimin e shtetit
thumbnail_LVV_9053 (1)

Inskenimi i rasteve nuk e ndalë përpjekjen tone për çlirimin e shtetit

Përndjekja dhe arrestimi i 6 aktivistëve: Adea Batusha, Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Petrit Ademi është akt klasik i përndjekjes së kundërshtarëve poltikë, gjë që bëhet vazhdimisht nga ky pushtet. Kështu u cilësuan veprimet e fundit të policisë, nga Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri dhe Sekretari Organizativ Dardan Molliqaj në konferencën e sotme të jashtëzakonshme për media.

Kryetari Ymeri në fjalën e tij e quajti këtë aksion vazhdimësi të sulmit që ka nisur Transmetuesi Publik RTK në drejtim të VETËVENDOSJE!-s dhe deklaroi se lidhjen polici-media-pushtet nuk po e shohim për herë të parë. Ai përmendi edhe raste të mëhershme ku aktivistët janë mbajtur pa faj në burg, me akuza të inskenuara nga pushteti.

“Kështu u patën arrestuar dhe akuzuar më herët edhe aktivistët Trim Gashi dhe Kushtrim Avdimetaj. Trimi akuzohej për tentim vrasje ndaj Kryeministrit, dhe u shpallë i pafajshëm nga gjykata. Kushtrimi akuzohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe sulm ndaj shtëpisë së Kryeministrit. Prokuroria ka hequr dorë nga këto hetime dhe akuza. Në të dyja rastet policia e  urdhëruar nga pushteti pati arrestuar dhe keqtrajtuar aktivistët pa pasur kurrfarë prove. E njëjta gjë po ndodh edhe tash”, u shpreh kryetari Ymeri.

Aksioni i Policisë është tentim për të instaluar frikë, por një ndërhyrje e tillë nuk e ndalon përpjekjen për shkatërrimin e regjimit të kriminelëve të klanit Pronto.

Më pas, Dardan Molliqaj deklaroi se aksioni i sotëm është tregues që konfirmon atë që organizatat ndërkombëtare e kanë thënë për Kosovën, që është duke shkuar në drejtim të një shteti autoritar. Ai poashtu e quajti RTK-në mjet propagandistik të pushtetit, kurse drejtorin e saj, Mentor Shalën, një prej kriminelëve kryesor në fushën e mediave.

Tutje, Molliqaj deklaroi se Policia e Kosovës nuk ka vullnet dhe nuk po mund ta luftojë krimin, prandaj po sajon raste të tilla.

“Kjo polici në këtë panik, në këtë presion është dashur patjetër ta sajojë një fajtor. Ju e dini që edhe më herët është sajuar fajtori i djegies së veturave në atë kohë dhe i sulmit ndaj shtëpisë së Kryeministrit dhe sot janë tërhequr akuzat ndaj tyre. Pra, e njëjta logjikë është edhe sot. Atyre iu duhet një fajtor për ta shfryrë opinionin publik dhe për ta linçuar VETËVENDOSJE!-n”, deklaroi sekretari organizativ, Molliqaj.

Ai përmendi edhe përgjimet, duke theksuar rastin e përgjiimit që u publikua sot, ku Adem Grabovci kontrollon gazetarin e RTK-së, Zejdush Kastratin, si dhe rastin e  Drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunin, i cili është në shërbim të klanit Pronto poashtu.

Molliqaj sqaroi disa fotografi të armëve që policia ka publikuar pas arrestimeve të sotme, duke deklaruar se asnjëra nga këto armë nuk kanë pasur lidhje me sulmet e fundit që janë bërë ndaj institucioneve. Ai tha se ato nuk kanë të bëjnë asgjë me aktivitetin e VETËVENDOSJE!-s.

Në fund u tha se e tërë kjo po bëhet për ta zbehur mobilizimin për 1 shtator kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.  Por, kjo është përpjekje e dështuar e pushtetit.
Ne ftojmë organizatat vendore e ndërkombëtare që t’i vizitojnë të arrestuarit, meqë ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike e psiqike. /RadioRinia/