Home / Politika / Isufi: Edita Tahiri të mos thirret në emër të qeverisë
00_12_1408706112116744834

Isufi: Edita Tahiri të mos thirret në emër të qeverisë

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministres Edita Tahiri, e cila ka konfirmuar se më 4 shtator në Bruksel do të mbahet takimi i radhës Kosovë-Serbi, ku temë do të jetë menaxhimi i integruar i kufirit.

Isufi ka kërkuar nga Edita Tahiri dhe të gjithë bashkëpartiakët e saj që janë zgjedhur deputetë që të mos thirren më në emër të Qeverisë së Kosovës.

Kjo, pasi sipas tij, të qenit deputet nuk lejon për askënd mbajtjen e posteve në ekzekutivin e vendit.

“Realisht, Qeveria e tashme, shumica e përfaqësuesve të Qeverisë së tashme janë deputetë të Parlamentit të Kosovës, të cilët kanë dhënë edhe betimin, prandaj nuk duhet të thirren më në emër të Qeverisë, sepse është Qeveri në ikje. Ne mendojmë se shumë shpejt duhet të instalohen institucionet e Kosovës dhe të vazhdojë trendi i zhvillimit të gjithëmbarshëm në Kosovë dhe njëkohësisht edhe të bëhet një analizë e dialogut, në mënyrë që Kosova të jetë përfituese nga ky dialog, sepse deri më tani Serbia ka përfituar më shumë ndërsa Kosova ka qenë shumë konstruktive por nuk ka përfituar nga dialogu”, ka deklaruar Isufi për “Politiko.net”.

539694_145027485656547_424079766_n

 

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në një intervistë për “Epokën e re” ka bërë të ditur se më 4 shtator në Bruksel do të mbahet takimi për marrëveshjen e menaxhimit të integruar të kufirit, ku do të diskutohet për ndërtesat e përhershme në gjashtë pikëkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tahiri ka thënë se vonesa e krijimit të institucioneve të reja nuk ka pasur ndikim në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit por, sipas saj, ka qenë Serbia që ka shënuar ngecje në këtë proces.

Tahiri ka thënë se Serbia, për shkak të dështimit që ka pasur në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, ende nuk ka arritur t’i hapë negociatat me Bashkimin Evropian.

Pavarësisht ngecjeve të palës serbe, zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se nuk do të ketë kthim të dialogut në pikën zero meqë, sipas saj, ky proces ka sjell mjaft rezultate. /RadioRINIA/