Home / Politika / Isufi (VV): Gjendja nuk është as e bardhë, siç thotë pozita, as e zezë siç thotë opozita
Nevzad Isufi

Isufi (VV): Gjendja nuk është as e bardhë, siç thotë pozita, as e zezë siç thotë opozita

Gjilan – Vlerësimet e tij për punën e Kuvendit dhe të qeverisë komunale në Gjilan, i ka paraqitur të enjten edhe Nevzad Isufi, shef i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”. Fillimisht, ai e ka përshëndetur hapin që ka ndërmarrë Zyra për informim e Komunës, për të organizuar konferenca të tilla dhe ka kërkuar që kjo praktikë të vazhdohet edhe në të ardhmen.

Ndërkaq, duke folur për rolin e subjektit të tij në vendimmarrjen komunale, Isufi tha se LVV është munduar të jetë bashkëpunuese e parimore në Kuvend, në trupat e tij, në komisione e kudo ku përfaqësohet.

Sa i përket punës së qeverisë komunale në këtë 6-mujor, Isufi tha se nuk kemi parë shumë ndryshime pozitive, krahasuar me vitin e kaluar, duke shtuar se me vonesa është filluar vitin e kaluar dhe me vonesa po vazhdohet edhe këtë vit. “Brenda kësaj periudhe të qeverisjes, nuk kemi parë të fillojë a të përfundojë asnjë projekt kapital”, ka thënë shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së.

Isufi u tregua kritik ndaj ndërtimeve pa leje, duke thënë se pasojat do t’i vuajmë të gjithë ne, madje edhe gjeneratat e ardhshme. Dihet se prej periudhës së publikimit të kërkesës për legalizim të ndërtimeve pa leje, vullnettarisht janë regjistruar 7500 kërkesa për legalizim të ndërtimeve, ndërsa janë regjistruar mbi 30.000 ndërtime pa leje.

Isufi e cilësoi të gabueshëm vendimin për shuarjen e drejtorisë së Inspeksionit. Dëmet e shkaktuara nga mosfuksionimi i inspeksionit, janë të pallogaritshme dhe të pariparueshme, ka thënë ai, duke kërkuar nga qeverisja komunale që të merret me shumë me përditëshmërinë e qytetarëve, siç janë infrastruktura rrugore, ujësjellësit, shtretërit e lumenjve, uzurpimet e pronës shoqërore dhe çështje të tjera që i përkasin nivelit komunal.

Isufi është shprehur kritik edhe për raprotet pozitë-opozitë, duke thënë se kërkesat e tyre janë injoruar edhe atëherë kur kanë qenë të arsyeshme. Sipas tij, kjo qeverisje ka bërë punë të mira te rregullimi i shtratit të lumit “Baja”, rregullimi dhe shtrimi i disa rrugëve, ulja e shpenzimeve e të tjera.

Shefi i grupit të këshilltarëve të VV, që në Kuvend Komunal përfaqësohet me 4 vota, ka thënë se opozita dhe pozita kanë vlerësime të ndryshme për punën e këtij 6-mujori. Nga këndvështrimi i pozitës, gjithçka është në rregull, pra krejtësisht e bardhë, kurse opozita sheh vetëm zi, ndërkaq gjendja reale mbetet e përhirtë, apo krejtësisht gri. “Duhet të ndryshohet forma e punës, nëse duam ndryshim të gjendjes”, ka thënë isufi. /RadioRINIA/