Home / Politika / KMDLNJ kërkon që të zgjidhet statusi i Kishës në kampusin universitar
kisgha-780x439

KMDLNJ kërkon që të zgjidhet statusi i Kishës në kampusin universitar

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me statusin e Kishës Politike në oborrin e Universitetit “Hasan Prishtina”, për të cilën thonë se duhet të zgjidhet.

Lexoni të plotë reagimin nga KMDLNJ:

“Gjatë viteve të dhunës shtetërore të Serbisë, kryetari i saj, Sllobodan Milosheviq, përmes autoriteteve lokale dhe krahinore të atëhershme dhunshëm e ndanë një pjesë të hapësirës së Universitetit të Prishtinës për ndërtimin e Kishës Ortodokse e që në fakt ishte një Kishë Politike e regjimit të Serbisë. Shume biznismenë shqiptarë u detyruan të paguajnë kontribute për ndërtimin e Kishës Politike sikur edhe shumë qytetarë të Prishtinës, përmes faturave të fryra të ujit, rrymës, nxemjes dhe atyre të mbeturinave “kontribuuan” në ndërtimin e këtij projekti shovenist të Serbisë e që nuk kishte të bëjë asgjë me përmbushjen e detyrimeve fetare, shpirtërore për besimtarët ortodoksë.

Pak kohë para intervenimit të NATO–së në Kosovë në këtë ngrehinë politike u vendos një kryq i madh mirëpo intervenimi i NATO–s e pengoi vazhdimin e punimeve. Pas përfundimit të luftës pati përpjekje që kjo Kishë Politike të rrënohet duke vendosur mjete shpërthyese pas së cilës, një kohë u ruajt nga forcat e KFOR – it. Ky simbol i shovenizmit të Millosheviqit dhe dhunës ndaj shqiptarëve më vonë u shndërrua në bujtinë ku vendoseshin lypsarët që vinin nga Shqipëria, të pastrehët dhe përdoruesit e drogës sikur që edhe u shndërrua në qendër të prostitucionit.

KMDLNj, edhe në kohën e Millosheviqit e pati kundërshtua ndërtimin e kësaj Kishe politike kurse, pas përfundimit të luftës ka kërkuar nga institucionet e Kosovës t’a shndërrojnë në një objekt kulturor, bibliotekë apo një qendër memoriale në kujtim të viktimave të dhunës apo , meqë është ndërtuar në bazë të ligjeve diskriminuese të asaj kohe, duhet të rrënohet. Disa politikanë në fushatat e tyre zgjedhore kanë premtuar se do ta rrënojnë këtë Kishë ilegale mirëpo , pas veshjes me pushtet nuk kanë reaguar fare dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim, qoftë të ruajtjes së këtij objekti apo ndonjë veprim tjetër, deri në një vendim përfundimtar.

Pas formimit të Lista Serbe çështja e Kishës politike në hapësirën e Universitetit “Hasan Prishtina” u aktualizua dhe kërkohej vazhdimi dhe përfundimi i punëve. Kjo Kishë u bë objekt i diskutimit edhe në Këshillin e Sigurimit të KB–së ku përfaqësuesit e Serbisë duke u mbështetur në ministrat serbë (LS) të qeverisë së Kosovës e sulmonin Kosovën dhe përfitonin politikisht në dëm të Kosovës.

Dje, më 13 shtator 2016, priftërinjtë të Kishës Ortodokse serbe, qytetarë serbë, zëvendëskryeministri i Kosovës Stojanoviq, në bashkëveprim me mohuesit e shtetit të Kosovës dhe shpërndarjes së urrejtjes kundër shqiptarëve, Teodosije e bënë një aksion propagandistik duke e pastruar hapësirën e kësaj Kishe politike dhe për çudi , ndonëse ishte afati i provimeve në hapësirën e Universitetit “Hasan Prishtina” më shumë kishte priftërinj me policë që ruanin anëtarë të Lista Serpska se studentë të këtij Universiteti. Zëvendëskryeministri i Serbisë në qeverinë e Kosovës deklaroi se ndërtimi i Kishës duhet të përfundojë dhe se ajo nuk duhet t’i pengojë askujt sepse nuk qenka objekt politik dhe se besimtarët ortodoksë kanë të drejtë të kenë një tempull fetar për përmbushjen e nevojave ë tyre shpirtërore siç është lejuar ndërtimi i Katedrales në qendër të qytetit dhe xhamisë  e cila do tà « ndërtohet më vonë, në një lokacion të ndarë.

Liritë dhe të drejtat fetare janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, për të gjitha komunitetet fetare, pa dallim prandaj askush nuk po ua shkel të drejtat fetare komunitetit fetar ortodoks.

Kjo Kishë është ndërtuar në kohën e robërisë dhe dhunës shtetërore kundër shqiptarëve, leja ka qenë e imponuar me ligjet diskriminuese, kontributet janë siguruar me shantazh dhe kërcënim kurse është ndërtuar në hapësirën e caktuar për objekte universitare prandaj institucionet e Kosovës duhet të marrin një vendim për këtë objekt ilegal i ndërtuar në hapësirën universitare. Në të kundërtën , nëse legalizohet përfundimi i ndërtimit besimtarët ortodoks sikur edhe personeli i komunitetit fetar ortodoks asnjëherë nuk do të jenë të lirë sepse nuk ka kuptim që studentët dhe priftërinjtë të jenë në një hapësirë ku ka vend vetëm për njërën palë nëse e kemi parasysh destinimin e hapësirës e cila i është ndarë Universitetit e jo Kishës Ortodokse.

Politikanët serbë që jetojnë në Kosovë e punojnë për Serbinë e kanë politizuar skajshmërisht çështjen e Kishës ortodokse serbe në hapësirën e Universitetit, po i keqpërdorin ndjenjat e besimtarëve ortodoks sikur edhe po kontribuojnë në rritjen e ekstremizmit te besimet tjera. Edhe Katedralja është ndërtuar me vendim politik duke u ndërtuar mbi themelet e një shkolle të mesme sikur që edhe BIK–u, me imponim e ka fituar lokacionin për ndërtimin e xhamisë, në një lokacion të papërshtatshëm edhe për BIK–un ashtu edhe për qytetarët!

Në rrethana normale qytetarët, me referendum do të vendosnin për lokacionet ku do të ndërtoheshin objektet fetare, në përputhje me nevojat e tyre dhe planin urbanistik.

Kështu, për të tri këto objekte fetare ka vendosur politika andaj po përballemi me këto probleme të cilat, në të ardhmen do të shprehen edhe më shumë. Nëse legalizohet ndërtimi i Kishës Ortodokse Serbe në hapësirën e Universitetit ‘Hasan Prishtina’, Katedralja është legalizuar në një lokacion përrallor me vendim politik atëherë del se komuniteti mysliman, ndonëse përbënë shumicën absolute, është dëmtuar më së shumti në caktimin e lokacionit si dhe trajtimit që po i bëhet! E që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”. /RadioRINIA/