Home / Politika / Kusari: AKR-ja do të kthehet me energji të reja
kusari_lila

Kusari: AKR-ja do të kthehet me energji të reja

Zëvendëspresidentja e Aleancës Kosova e Re (AKR), Mimoza Kusari-Lila, ka mohuar mundësinë që ky subjekt politik të shuhet, pavarësisht moskalimit të pragut zgjedhor dhe largimit të individëve nga kjo parti.

Në një bisedë për “Epokën e re”, Kusari-Lila ka thënë se AKR-ja do të kthehet fuqishëm në skenën politike me energji të reja. “Jemi përcaktuar ta vazhdojmë aktivitetin tonë politik dhe t’i promovojmë vlerat liberal demokrate, të cilat besojmë se nuk kemi qenë të suksesshëm në promovimin e mjaftueshëm të tyre deri më tani. Pra, s’do të ndalemi, por do të vazhdojmë edhe më tutje duke besuar se do të jemi më të suksesshëm me elektoratin dhe me opinion e përgjithshëm në Kosovë për të treguar se pse AKR-ja duhet të jetë në skenën politike dhe pse duhet të vazhdohet promovimi i vlerave liberal demokratike”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ajo ka treguar se strukturat e kësaj partie pas zgjedhjeve të 8 qershorit janë mbledhur disa herë dhe kanë diskutuar për të ardhmen e subjektit politik dhe kanë besimin se energjitë e reja do të bëjnë që nami i AKR-së të kthehet. “Jemi të sigurt se do ta kthejmë namin që kishte dikur AKR-ja. Do të pretendojmë edhe më shumë, sepse puna që ne kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme po i mungon Kosovës. Duhet ta përmend sakrificën e z. Pacolli në vitin 2011, ku kriza institucionale në atë kohë nuk ka zgjatur më shumë se dy javë. Pra, z Pacolli menjëherë u tërhoq nga pozita e presidentit, duke lëshuar rrugë, ani pse ato procedura nuk kishin të bënin fare me të”, është shprehur ajo.

Zëvendëspresidentja e AKR-së ka mohuar zërat se ky subjekt politik mund të shuhet apo shkrihet në ndonjë subjekt tjetër politik. “Në asnjë mënyrë nuk do të shkrihemi dhe as nuk do të shuhemi. Kemi pasur një krizë apo një moment të vështirë, pas të cilit domosdo duhet të kthehemi me forcë dhe energji të re”, ka thënë Kusari-Lila, duke shtuar se opinioni do të njoftohet me kohë për hapat konkretë të këtij subjekti polik. Sipas saj, tani për tani nuk ka asgjë të finalizuar.

Sa i përket mungesës së liderit të AKR-së në skenën politike, ajo ka thënë se Pacollit i është dashur pak kohë për të reflektuar pas rezultatit jo të mirë të zgjedhjeve të 8 qershorit. “Natyrisht se z. Pacolli i është dashur kohë për të reflektuar për vete dhe për partinë. Gjithashtu, i është dashur edhe një periudhë në të cilën ai duhet të sjellë disa vendime për të ardhmen e partisë. Besoj se shumë shpejt do të dalim me vendime shumë të qarta para opinionit dhe para elektoratit tonë për strukturën dhe hapat e ardhshëm të AKR-së”, ka thekuar Kusari-Lila.

Mimoza Kusari-Lila, e cila është edhe kryetare e Komunës së Gjakovës, ka deklaruar se AKR-ja nuk është subjekt politik që gjithë aktivitetin e saj e ka mbështetur tek një person. Sipas saj, zyrtarët e kësaj partie kanë vazhduar punën e tyre edhe pas zgjedhjeve të 8 qershorit në nivel lokal dhe në atë qendror. “AKR-ja, si parti liberal demokrate, me vlerat e veta shtetformuese gjithmonë është munduar për t’i kontribuar shtetit. Edhe pse lideri ynë e ka pasur një periudhë jo të lehtë pas rezultatit zgjedhor, ne e kemi vazhduar aktivitetin tonë në kuadër të institucioneve në pushtetin lokal dhe në nivelin qendror. Ne nuk jemi subjekt që gjithë aktivitetin tonë e lidhim vetëm rreth një njeriu. Por, aktivitetet e AKR-së duhet të shikohen edhe në dikasteret që kemi udhëhequr dhe vazhdojmë t’i udhëheqim, në të cilat kemi qenë mjaft të suksesshëm”, ka thënë Kusari-Lila.

Në pyetjen nëse pretendon të jetë kryetare e partisë, ajo është përgjigjur: “Ne nuk kemi diskutuar për konkurrencë brenda partisë. Do të diskutojmë në strukturat tona dhe do të shohim se cila do të jetë mënyra më e mirë e konkurrimit të subjektit tonë politik në të ardhmen. Mund të them me përgjegjësi të plotë se të gjithë ne, duke filluar nga presidenti Pacolli dhe të tjerët, jemi të përkushtua ta kthejmë AKR-në ku ishte dikur dhe, edhe më lart. AKR-ja ka vlera dhe parime të cilat janë të domosdoshme për shtetin ri të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.

Mimoza Kusari-Lila ka folur edhe për largimin e Dardan Gashit nga AKR-ja. Ajo ka thënë se nuk është befasuar me largimin e Gashit. Sipas saj, një gjë e tillë nga ana e Gashit ishte paralajmëruar edhe më herët. “Personalisht nuk kam marr ndonjë sqarim, por kam kuptuar se për dorëheqjen e tij ai ka komunikuar me presidentin e partisë, z. Pacolli. Them të drejtën, kur e kam dëgjuar këtë dorëheqje, nuk jam befasuar sepse gjatë procesit të zgjedhjeve z. Gashi pati deklaruar se do ta shqyrtojë pozicionin e tij pas rezultatit të zgjedhjeve. Kështu që, dorëheqja e tij nuk ka ardhur krejt e befasishme”, ka thënë Kusari-Lila. /RadioRINIA/

Friend: opera mini cho dien thoai,zalo apk,tai zalo,tai chplay,