Home / Politika / ‘Mësueset’ e VV-së shumë dorështrënguara!
gjilan_kosove

‘Mësueset’ e VV-së shumë dorështrënguara!

Gjilan – Kritikave të pabaza të lëvizjes Vetëvendosjes në Gjilan lidhur me sektorin e shëndetësisë, përmes një letre të përbashkët, i është përgjigjur u.d. drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Fejzulla Berisha dhe kryesusi i Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Imet Rrahmani.

Në përgjigje thuhet:
“Prononcimet e përfaqësueseve të VV-së për gjendjen në shëndetësinë gjilanase sikur të ishin të argumentuara me fakte bindëse dhe reale, sigurisht se do të ishin një kontribut i rëndësishëm në përballimin e sfidave të shumta që ka shëndetësia në periudhën e pas ndërrimit të pushteteve.

Do të pajtoheshim me të gjitha ato që janë cekur, sikur kolegët nga VV-ja të ishin informuar më sakt për rrjedhat në shëndetësi, respektivisht kujdesin parësorë shëndetësorë, aty ku Komuna është kompetente.

Së pari, buxheti i planifikuar është në nivelet e planifikimeve të viteve të mëhershme (në përqindje), dhe është rezultat i imponimeve të pavullnetshme nga shkurtimet buxhetore që kanë ardhur nga Qeveria e Kosovës.

E dyta, po punohet shumë që përmes donacioneve dhe rishikimeve buxhetore të obligueshme me ligj, këto shifra të ndryshohen pozitivisht. Natyrisht, se duhet pak përpjekje dhe kohë që gjërat të vinë në vend.

E treta dhe kryesorja, ne nuk do të bëjmë “lojën e numrave” dhe i garantojmë qytetarët se të gjitha mjetet e planifikuara do të shfrytëzohen me zgjuarsi dhe vetëm për nevoja prioritare.
Kurrë më nuk do të “renovohen” qindra metra katrorë perde me çmim të njëjtë me çmimin e perdeve të reja. Kurrë më nuk do të blihet inventar me cilësi të tillë që garanton jetëgjatësi disajavore, apo mjete pune që nuk u gjinden kund shenjat.

Se qeveria komunale e ka prioritet edhe shëndetësinë flet fakti se tash kur po flasim janë përfunduar renovimet në QMF-Dardania, QMF-Arbëria( tash do të rregullohet edhe oborri me rrethojën së bashku), po punohet intensivisht në QMF- Malishevë, QMF-Pogragjë dhe në një pjësë të QKMF-së. Kolegët e VV-së , dhe të tjerët, i ftojmë t’i vizitojnë këto Qendra dhe të informohen nga punëtorët (jo menaxhmenti) se kur për herë të fundit janë renovuar ato qendra.

Ne po ju kursejmë kohë dhe po ju themi me përgjegjësi, nga koha kur LDK ka dorëzuar pushtetin para gjashtë e më shumë viteve kush sen me dorë s’ka prek në kuptim mirëmbajtjeje.
Gjithashtu, informojmë opinionin publik se tashmë kanë përfunduar proceduarat tenderuese për furnizim me aparaturë dhe mjete bazike për punë normale në shërbim të pacientëve si: EKG, otoskopa, tensiometra, inhalatorë etj. Poashtu, falë përkujdesjes institucionale dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm të Kryetarit Haziri me Klubin Rotarian në Gjilan, QKMF do të marrë një donacion të çmuar në mjete dhe aparaturë.

Se vëllimi i madh i punëve dhe sakrifica e stafit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët nuk mund të kontestohet, po ju ofrojmë një argument: janë vaksinuar edhe rreth 4300 qytetarë me vaksinën kundër gripit sezonal, angazhim ky jashtë punëve normale rutinore. Shtrohet pyetja se si do të bëhej edhe një punë e tillë shtesë në mungesë të pambukut dhe alkoolit ose antishok terapisë kur ajo kontrollohet edhe nga inspektoriati i MSH( që nuk ka pasur vërejtje)?!

Se koleget opozitare nga VV-ja nuk i kanë informatat “taze” flasin edhe këto argumente: Ambulanta në Livoq të Epërm është mbyllur nga ish-pushteti dhe objekti i është dhënë në shfrytëzim shkollës së fshatit, ndërsa orari “dy here në javë” (Cërnicë e Shurdhan) është trashëguar, poashtu nga ish-pushteti dhe po punohet intensivisht në gjetjen e zgjidhjes së duhur me kthimin e mjekëve nga specializimi dhe me punësimin e mjekëve të rinj përmes konkursit që së shpejti do të shpallet.

Gjithashtu, falë interesimit të kryetarit Haziri dhe përgjegjësve të DSHMS, janë ndihmuar shoqata e “Hendikos”, “Shoqata e Shurdhmemecëve”, “Shoqata e të Verbërve”, “Shoqata Pensionistëve” dhe Qendra e Gruas “Liria”, si dhe një numër i madh qytetarëve për blerje të barërave (mbi 43.000 euro) dhe shërimeve jashtë vendit.

Rast më i freskët është angazhimi i Komitetit për SHMS, DSHMS-së, QKMF-së dhe Zyrës së Kryetarit në ndihmën për qytetaren F.M. në vlerë prej 6600 eurove.
Tjetra, nuk është e vërtetë se DSHMS do t’i paguaj “kompensim” kompanisë Fauna për DDD, sepse bëhet fjalë për një kontratë kornizë trivjeçare dhe varësisht nga shërbimet që do të kryej kompania edhe do të kompensohet.

Krejt për fund, të nderuara kolege të VV-së, meqenëse jeni pjesë kontributdhënëse e shëndetësisë gjilanase, edhe ju do të duhej të ndieni përgjegjësi për gjendjen në shëndetësi, dhe të mos jeni aq dorështrënguara në vlerësim, duke ju ftuar të konkuroni në konkursin e porsa shpallur për drejtor dhe zëvendësdrejtor të QKMF-së”. thot Fejzulla Berisha – U.D. drejtor i QKMF-së dhe Imet Rrahmani – kryesues i Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. /RadioRINIA/