Home / Politika / Mustafa: nuk pret shumë nga qeverisja e Hazirit
qemajl_mustafa_gjilan

Mustafa: nuk pret shumë nga qeverisja e Hazirit

Gjilan – Personalisht nuk pres diçka të veçantë në këtë mandat ashtu siç nuk presin as qytetarët që e kanë votuar sepse që në start një pjesë e mirë e tyre janë të zhgënjyer me premtimet e shumta dhe sidomos me sjelljen e kreut të komunës dhe të stafit të tij të brishtë thotë Qemajl Mustafa për rajonipress.

Mustafa duke komentuar muajt e parë të punës së Hazirit thotë për rajonipress se krejt çka mund të thuhet deri tashti për qeverisjen aktuale është se ka tentuar ta mbajë nivelin e gjetur të dhënies së shërbimeve në komunë e që ka qenë kryesisht i mirë në të gjithë sektorët (përveç inspektoratit ku gjendja ka qenë më keq e sidomos për shkak të periudhës zgjedhore).

“Janë shkaktuar shumë vonesa në përcaktimin e drejtorëve dhe në kompletimin e komiteteve të kuvendit komunal. Gjatë kësaj kohe kryesisht udheheqesia e komunës është marrë me ceremoninë e pritjes e përcjelljes së militantëve partiak në institucionin e komunës duke e shndërruar atë në seli të LDK-se. Është theksuar këtyre javëve dalja para publikut me retorikë boshe të stërpërsëritur të tipit “komunën e gjetëm në borxhe…” vetëm e vetëm për të krijuar alibinë e dështimit eventual në këtë mandat si dhe me konstatimin se qeverisja aktuale “do të jetë qeverisje pa kravata…” e që kushedi se çka ka mendua me thënë kryetari i komunës zoti Haziri kur e ka thënë këtë” shton Mustafa.

Sipas tij në një paraqitje të gjatë të të arriturave të kulturës dhe traditës së Gjilanit në një medium qendror e që ishin rezultat i mirë dhe i pamohueshëm i qeverisjes time dhe të PDK për gjashtë vite me komunën, kryetari Haziri tha pa pikë sensi se “këto dhjete vitet e fundit Gjilani është trajtuar keq nga qeveria…” duke harruar fare se që nga viti 2005 e deri në fund te vitit 2010 ishte vet maja e ekzekutivit kosovar (dy herë ministër – i MAPL dhe i MKRS dhe zevendeskryeminister) por që Gjilanit ai vet nuk i kishte sjellë atëbotë vërtetë asgjë të dalluar e sidomos jo nga viti 2005 deri më 2008 kur LDK ishte në qeverisje me AAK. “Formacioni i tij politik nga Gjilani e kishte edhe ministrin e transportit dhe telekomunikacionit (MTPT) dhe atë të punëve të brendshme (MPB), por vërtetë nuk u pa ndonjë hair prej tyre për këtë anë përveç ne sistemimin nëpër vende të mira të punës të partiakëve dhe të familjarëve të tyre”.

Pra, pa pikë sensi ai e kritikon qeverisjen e tij dhe vetveten sepse ka harruar krejt që ka patur obligime dhe përgjegjësi të larta shtetërore dhe për komunën e tij.

“Personalisht nuk pres diçka të veçantë në këtë mandat ashtu siç nuk presin as qytetarët që e kanë votuar sepse që në start një pjesë e mirë e tyre janë të zhgënjyer me premtimet e shumta dhe sidomos me sjelljen e kreut të komunës dhe të stafit të tij të brishtë.Dita e mirë thonë tregon në mëngjes e me përcaktimin e drejtorëve kryetari Haziri ka treguar që nuk e ka nijetin e mirë sepse njërin nga drejtorët që unë e pata shkarkuar me arsyeshmeri të plotë nga pozicioni i drejtorit për kulturë, rini dhe sport ky e ka vendosur për drejtor në një sektor të ndjeshëm dhe problematik siç është inspektorati. Një tjetër që ishte inspektor i ndërtimit e që është në procedurë disiplinore dhe me bazë argumentuese për tejkalime të rënda e ka vendosur për drejtor në urbanizëm pavarësisht që unë i kam bërë me dije për rastet problematike dhe në procedurë disiplinore” tha Mustafa.

Mustafa tha se Haziri ka vendosur për drejtor kuadro pa pikën e përvojës në udhëheqje bile ndonjëri prej tyre asnjëherë nuk ka punuar askund deri tashti kur politika e ka shpërblyer dhe e ka bërë drejtor.

“Përkundër kësaj që u tha e që është dëshpëruese për qytetarin e komunës, disa nga drejtorët e kanë dijen dhe mundësinë që të punojnë mirë nëse e kanë vullnetin dhe përkrahjen e kryetarit që ta bëjnë këtë. Po e zëmë drejtori i shërbimeve publike është një kuadër i mirë dhe me përvojë të mirë edhe politike edhe menaxheriale, ai i zhvillimit ekonomik ka paradispozita të mira gjithashtu, i bujqësisë e arsimit poashtu”.

Mbetet të shihet në ditët që vijnë se sa është ky ekip i drejtorëve i angazhuar dhe kreativ sepse qeverisja është shumë më shumë veprim kolektiv interaktiv se sa që është mundësi individuale.

“Ne, me qeverisjen dinamike dhe të përkushtuar për gjashtë vite këtyre që na pasuan ju kemi lenë një bazë të mirë për lëvizje të shpejte përpara, por që të ndodhë kjo duhet patur në radhë të parë shumë vullnet për t’i pranuar dhe njohur prioritetet e shoqërisë së komunës e pastaj duhet komponuar dhe duhet lidhur mirë të gjithë mekanizmat e qeverisjes. Ne do të monitorojmë me vigjilence të gjitha zhvillimet në komunë sepse PDK tashmë e ka përvojën e gjatë dhe të mirë në qeverisje dhe grupi ynë i këshilltarëve në KK do ta bëjë këtë me shumë saktësi dhe do të ndihmojë, por edhe do të kontestojë dhe kritikojë sa herë që e kërkon interesi i qytetarëve. Jemi të sigurt që qytetarët qysh sot kanë filluar me na kërkua që të kthehemi në qeverisje sepse këtë zgjedhje për LDK e kanë bërë me inercion dhe të zhgënjyer nga situata e përgjithshme kosovare” tha në fund Mustafa./rajonipress/