Home / Lajme / Ndërtimet e paligjshme, arrestohen inspektorët
inspektorati-780x439

Ndërtimet e paligjshme, arrestohen inspektorët

Policia e Tiranës ka arrestuar dy specialistë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës për shpërdorim detyre.

 Ndërkohë që një i tretë është arrestuar për ndërtim të paligjshëm, Jetnor Gjoka, 47 vjeç. Specialistët Amarildo Duka, 29 vjeç dhe Elton Spahiu, 35 vjeç kanë lejuar vazhdimin e një ndërtimi në dëm të banorëve të pallatit.

Jetnor Gjoka ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente në një garazh prej 530 m2, në rrugën “Xhanfize Keko”. Inspektorët e IMT-së, edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje e kanë lejuar duke sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të banorëve të pallatit, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Gjithashtu në lidhje me këtë vepër penale nga SH.Ç.B.A janë kryer veprime proceduriale penale mbi dyshimet për implikim të punonjësve të policisë pranë Komisariatit nr.4, Tiranë, konkretisht punonjësit e policisë me iniciale Xh.M, Y.H, F.D dhe E.H, të cilët në përmbushje të detyrave funksionale të tyre janë mjaftuar vetëm me komunikimin verbal të specialistëve të IMT.

Gjithashtu ndaj punonjësve të Policisë ka nisur dhe procedimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mos veprim./RadioRINIA/