Home / Politika / Shurdhani thërret për pjesëmarrje në Kuvendin e Jashtëzakonshëm zgjedhor të PD-së
00_12_147505633461177847

Shurdhani thërret për pjesëmarrje në Kuvendin e Jashtëzakonshëm zgjedhor të PD-së

“Dega e Partisë së Drejtësisë në Gjilan përkrah unitetin, transparencën dhe demokracinë e brendshme brenda partisë, dhe shfrytëzojmë rastin t’u bëjmë thirrje gjithë anëtarësisë së gjerë që sot në mënyrë të unifikuar të marrim pjesë në kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhorë të PD-së. Mendojmë se është e drejtë e anëtarësisë së gjerë të PD-së dhe e kryetarëve të degëve, si përfaqësues të ligjshëm të anëtarëve të kryesive të degëve dhe anëtarësisë së gjerë brenda komunave ku veprojnë që të reflektojnë në përputhje me kërkesat e anëtarëve të tyre”.

Kështu ka thënë Kryetarja e Partisë së Drejtësisë (PD), Dega në Gjilan, Selvete Shurdhani, sipas të cilës Dega e Gjilanit e ka kundërshtuar vendimin e një grupi të kryesisë për përkrahjen e marrëveshjes së dëmshme për demarkacionin me Malin e Zi në krye me z. Agani, marrëveshje e cila ka nxitur pakënaqësinë e anëtarëve të degës së Gjilanit si dhe e cila është pasuar me tensione dhe protesta të shumta në Kosovë dhe me këtë rast, janë solidarizuar me qytetarët veçanërisht me banorët e zonave në afërsi të kufirit.

Shurdhani, e cila është edhe anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka bërë me dije se Dega e PD-së së Gjilanit përkrah vendimin e Deputetes Labinotë Demi-Murtezi për të mos u ndikuar nga kurrfarë presioni në lidhje me vendimin e saj për demarkacionin, përkrahë po ashtu vendimin e shumicës së degëve për të marrë pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të thirrur nga sekretari i degës, Z. Fidan Mustafa, pas kërkesës së 18 Degëve drejtuar atij për Kuvend të Jashtëzakonshëm Zgjedhorë.

 

“Dega e PD-së në Gjilan kërkon që të ruhet uniteti brendapartiak, si dhe që Kuvendi i Jashtëzakonshëm të jetë transparent, i hapur për të gjithë, integrues, vëllazëror, në emër të Zotit me Drejtësi, dhe, që brenda kuvendit të jenë të përfshirë të gjithë, pa marrë parasysh mendimet e kundërta që mund të jenë, duke përfshirë edhe kryetarin e PD-së Ferid Agani”, thotë Shurdhani.

 

Gjithashtu, Ajo shprehet se Dega e PD-së në Gjilan shpreson që do të tejkalohen përçarjet dhe në kuvend të zgjidhet një kryesi e cila ofron mundësi politikbërje edhe për figurat e shquara të cilat janë larguar në të shkuarën nga PD-ja, dhe, gjithsesi të forcohet uniteti brendapartiak me bartësit e proceseve të tanishme.

 

“Dega e PD-së në Gjilan çmon lartë kontributin e secilit anëtarë të kryesisë së PD-së, të Këshillit Drejtues, të Kuvendit, bartësit e funksioneve të degëve dhe anëtarësisë së gjerë, dhe, kërkojmë që të mos instalohen politika të tilla që ngulfatin mendimin e lirë, që nxisin procese hakmarrëse ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe që dalin jashtë kornizave të identitetit të PD-së, të premtimeve dhënë elektoratit dhe të llogaridhënies”, ka thënë Selvete Shurdhani./RadioRINIA/