Home / Politika / Sot, heshtje zgjedhore
mbyllet-fushata-fillon-heshtja-zgjedhore_hd

Sot, heshtje zgjedhore

Të dielën me 8 qershor qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të votojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Për dhjetë ditë fushatë, 30 partitë politike që janë certifikuar nga Komisioni Qendrorë Zgjedhorë kanë pasur mundësinë që t’i paraqesin programet e tyre politike, për të kërkuar votën.

Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara për të marrë pjesë në këto zgjedhje, sipas KQZ-së është: 18 parti politike; 7 iniciativa qytetare; 1 kandidat i pavarur; 4 koalicione.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë bërë përgatitjet finale për zgjedhjet e së dielës. Për këto zgjedhje parlamentare janë akredituar rreth 30 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

Sipas Xhemail Peçanit, nga KQZ-ja i gjithë materiali senzitiv është i gatshëm dhe tanimë ka filluar distribuimi i këtij materiale nëpër të gjitha vendvotimet si dhe është në përfundim e sipër trajnimi i këshillave të vendvotimeve.

Në anën tjetër, në një kumtesë e përbashkët të përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, dhe shefave të misioneve të shteteve anëtare të BE-së, që janë të pranishme në Kosovë, theksohet se këto do të jenë zgjedhjet e para të përgjithshme pas përmbylljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

Për të qenë zgjedhjet sipas standardeve evropiane, Misioni i OSBE-së përsëri do t’i monitorojë zgjedhjet dhe së bashku me vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë dhe lokalë, do ta vlerësojë korrektësinë dhe procedurat.

Ndërsa, një vlerësim për këto zgjedhje ka dalë vonë edhe nga Demokracia në Veprim, e cila në bazë të monitorimit të fushatës parazgjedhore nga 449 aktiviteteve të përcjella nga partitë politike, vërehet trend pozitiv në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Megjithëkëtë, zyrtarë të DnV-së kanë theksuar se gjatë fushatës janë keqpërdorur resurset publike, si në pushtetin qendror ashtu edhe lokal.

Ndërkohë, për zgjedhjet e 8 qershorit do të jenë 1235 kandidatë që garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ata që do t’i votojnë do të jenë 1 milion e 782 mijë e 54 persona, përfshirë edhe komunat veriore, me shumicë serbe.