Home / Politika / Subjektet politike urojnë Shqipërinë për marrjen e statusit
partite-politike

Subjektet politike urojnë Shqipërinë për marrjen e statusit

Subjektet politike kanë uruar Shqipërinë për marrjen e statusit të kandidat të Bashkimit Evropian, duke e quajtur këtë lajm të mirë për shqiptarët kudo.

Ka qenë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kryeministri në detyrë, ai që ka uruar Shqipërinë për këtë rast, duke kujtuar fjalët e Isa Boletinit “Unë jam mirë, kur është mirë Shqypnia”.

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë me rastin e marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Ky është një lajm shumë i mirë për institucionet, qytetarët e Shqipërisë dhe për shqiptarët kudo. Shqipëria po përparon sigurt drejt integrimeve evropiane dhe ky është në fakt shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët. Ne urojmë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Shqipërisë për këtë të arritur të madhe dhe zotohemi se do të punojmë shumë që edhe Kosova të përmbushë standardet për t’iu bashkuar familjes së madhe politike evropiane”, thuhet në urimin e Mustafës.

Ramush Haradinaj, kryetar i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, ka uruar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Ramës dhe mbarë popullin shqiptar, për arritjen nga Shqipëria të statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Përgëzimet më të thella ia përcjellë qeverisë dhe popullit shqiptar, për punën e bërë, angazhimin dhe përkushtimin e mbarë spektrit politik të Shqipërisë në arritjen e kritereve për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE. Po ashtu ua përcjellë bindjen dhe përkushtimin tim të plotë se shumë shpejt edhe Kosova do t’i ndërmarrë hapat e duhur dhe t’i plotësojë kriteret në rrugën drejt integrimit të plotë në BE”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian është dhe mbetet qëllimi i përbashkët dhe parësor i shqiptarëve kudo që janë, si rrumbullakësim i punës dhe përpjekjeve të vazhdueshme për paqe, siguri, stabilitet e zhvillim.

Nisma për Kosovën ka uruar qytetarët e Shqipërisë, institucionet e shtetit shqiptar dhe të gjithë ata që kontribuuan për këtë vendim historik për shqiptarët.

Edhe Ferid Agani, kryetar i Partisë së Drejtësisë, ka uruar Shqipërinë dhe mbarë popullin shqiptar për marrjen e statusit, duke shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë ata breza që u angazhuan për këtë ditë të madhe.

Ai ka përgëzuar shtetin shqiptar për këtë të arritur siç e quajti ai historike, duke u lutur që edhe Kosova të ndjek hapat e tillë në mënyrë që sa më parë të integrohet në BE, gjë për të cilën sipas tij, është e angazhuar edhe partia që ai drejton. /RadioRINIA/