Home / Politika / Sylejmani: Fillimi i mbrapshtë i vitit shkollor dhe paralajmërimi për shuarje të DKRS-së
levizja_vetvendosje_gjilan

Sylejmani: Fillimi i mbrapshtë i vitit shkollor dhe paralajmërimi për shuarje të DKRS-së

Gjilan – Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan mbajti sot konferencë për media lidhur me gjendjen e rënduar në vazhdimësi të arsimit, si dhe për çështjen e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë Komunë.

Edhe fillimi i këtij viti shkollor u përcoll me shumë parregullsi e të meta. Përderisa për nxënësit që për herë të parë janë ulur në bankat shkollore padyshim se 1 shtatori ka qenë një ditë e gëzuar, për disa mësimdhënës që sivjet i ka prekur referoma e klasës së 13-të, 1 shtatori ka qenë ditë ankthi.

“Është dhënë premtimi por nuk janë sistemuar të gjithë mësimdhënësit. Pikërisht për këtë arsye udhëheqësit më të lartë të arsimit duhet dhënë sqarime se për çfarë arsye disa mësimdhënës kanë mbetur pa orë mësimore? A pritet të sistemohen edhe ata pak mësimdhënës, nëse janë pak? Në rast se jo, çka do të bëhet me ta?”, tha asambleisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal, Fehmi Sylejmani. Ai foli edhe për konkursin për punësim në arsim, duke thënë se pranimi i mësimdhënësve të rinj është bërë në momentin e fundit, si dhe për mosfillimin e mësimit në disa shkolla pa ndonjë arsyetim nga Komuna.

Zgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtoreve ka zgjatur paska tepër dhe pa ndonjë arsye, derisa pika 2.2 e Nenit 4 të Udhëzimit Administrativ i MASHT-it me numër 08/2014 për procedurat e zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në institucione edukativo-arsimore dhe aftësuese thotë: Anëtari i propozuar nga kryetari i komunës duhet të ketë së paku një kualifikim të barasvlershëm me kërkesat për kualifikim të kandidatëve për pozitë të drejtorit si dhe të kenë së paku një përvojë prej tri vitesh në sistemin arsimor. Kurse, pika 2.4 e po të njëjtit nen thotë: Anëtarët e Komisionit nuk mund të jenë të emëruarit politik. Ndërkaq, neni 3, pika 1.2, e këtij udhëzimi thotë: Të kenë të kryer së paku arsimin universitar themelor (240 ECTS/4) nga profilet e pranueshme për pozitën e mësimdhënësit. “Në bazë të këtyre dy pikave dhe neneve përkatëse, komisioni intervistues për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve është i paligjshëm dhe joprofesional, prandaj çdo vendim i tyre do të jetë në kundërshtim me këtë udhëzim administrativ dhe secili kundërkandidat që ankohet, me procedura gjyqësore do të jetë fitues”, tha në fund Sylejmani.

Asambleistja e VETËVENDOSJE!-s në Kuvendin Komunal, Arijeta Rexhepi, foli për problemet tjera të arsimit në këtë Komuna, siç është mosparaqitja e orëve të lira nga disa drejtorë të shkollave, si dhe ndarja e padrejtë e bursave për studentët. tjetër të arsimit në këtë komunë. “Sipas informatave tona, janë tre bursistë që janë futur në listën zyrtare, e që nuk e meritojnë bursën. Kjo është bërë në saje të kryetarit të komisionit dhe disa anëtarëve të partisë në pushtet.

Ne posedojmë tre emra që vërtetë është deshtë të jenë në listën zyrtare, e që e kanë humbur këtë të drejtë për shkak të ndikimeve politike të komisionit. Po ashtu, ka vërejtje se gjatë punës së kontrollimit të bursistëve është rritur shumë numri i orëve, ku janë evidentuar rreth 350 orë në total për vetëm 215 kandidatë potencialë. Pra, është punuar më tepër se një orë e gjysmë për vetëm një kandidatë.

Nehat Osmani nga Nënkomiteti i VETËVENDOSJE!-s për Sport në Gjilan, shprehu shqetësimin lidhur me paralajmërimin e Komunës për shuarjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. “Me këtë vendim të pushtetit komunal, po tentohet që rinia të heshtet, të ngulfatet.

VETËVENDOSJE! po përpiqet që ta ndalojë një gjë të tillë. Andaj, paralajmërojmë pushtetin komunal se zëri i rinisë, i sportistëve, i artistëve, nuk mund të ndalet. Rinia jonë e do vendin e vet, e do Kosovën dhe ajo do ta ndryshojë atë. Rinia po kërkon hapësirë, e ajo po i cungohet pa asnjë të drejtë”, u shpreh Osmani, duke shtuar se angazhimi i të gjithë neve duhet të jetë investim në rini, në ngritjen e tyre intelektuale, sportive e artistike, e jo e kundërta, siç po duan të veprojnë pushtetarët komunal. /RadioRINIA/