Home / Politika / VV: Lutfi Haziri ka përmbushur vetëm 18% të premtimeve
DSC_0225

VV: Lutfi Haziri ka përmbushur vetëm 18% të premtimeve

Gjilan – Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE në Gjilan mbajti tryezë lidhur me qeverisjen njëvjeçare të Komunës së Gjilanit nga LDK-ja dhe Lutfi Haziri, ku u evidentuan defekte të shumta në të gjitha fushat e qeverisjes lokale.

“ Lutfi Haziri u kishte premtuar qytetarëve gjilanas rregullim të infrastrukturës dhe kanalizimit, departizim të arsimit, mbështetje për klubet sportive, parqe, kopshte, ndriçim publik, zgjerim të rrugëve, rregullim të shtratit të lumit, mbështetje të bujqësisë, e shumë të tjera, por këto premtime mbetën në fazën e vlerësimeve dhe planifikimeve”, tha ndër të tjera moderatori i këtij debati, Fehmi Sylejmani.

Deputeti i VETËVENDOSJE!-s, Ismajl Kurteshi, citoi raportin e Institutit GAP ku thotë se Lutfi Haziri ka përmbushur vetëm 18% të premtimeve. “Asnjë projekt i madh nuk ka përfunduar gjatë vitit 2014. Asnjë investim i huaj nuk ka ardhur, edhe pse Kryetari bëri shumë udhëtime jashtë vendit, përkundër borxheve të mëdha që ka Komuna, për të sjellë kinse investime të reja nga atje.

Ky vit do mbahet në mend për të keq, për ndërtime pa leje, për punësime nepotiste e partiake, dhe për mungesë të transparencës nga ana e Komunës”, theksoi Kurteshi, duke shtuar se edhe viti 2015 ka nisur mbrapsht, me vendimin për rritjen e taksave komunale për bizneset, vendimin e kundërligjshëm për gëlqerosjen e shkollës “Selami Hallacci” me para të nxënësve, si dhe me vendimin shumë selektiv për pagesën e kamatës së kredive për mikrobizneset dhe agrobizneset.

Asambleisti i Lëvizjes në Kuvendin Komunal, Nevzad Isufi, tha se nga ajo që është premtuar dhe nga ajo që po realizohet, na ndanë një det i tërë. “Këtu nuk e kam fjalën vetëm për premtimet gjatë fushatës zgjedhore, por edhe në fillimet e qeverisjes së re kemi pasur ripërsëritje të këtyre premtimeve. Nga qeveria komunale kemi fjalë vetëlavdërimi për transparencën, për vendin e dytë për transparencë në nivel vendi nga Instituti Demokratik i Kosovës. Nuk e dimë çfarë instrumentesh ka KDI, por ne si asambleistë të Kuvendit nuk mendojmë kështu, por komplet të kundërtën”, tha Isufi, i cili më tej përmendi një numër të madh të shkeljeve të vazhdueshme që janë bërë në secilën drejtori.

Asambleistja Arijeta Rexhepi tha se nga kryetari i Komunës kemi dëgjuar shumë fjalë premtuese se gratë do të jenë të përfaqësuar në të gjitha nivelet, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Në ekzekutiv nuk është asnjë grua. Gratë në Komunën e Gjilanit janë vetëm në ato vende ku domosdo kërkohet, sa për t’i përmbushur kuotat, por jo edhe në pjesën vendimmarrëse.

Në këtë folën edhe: Feriz Tërstena për problemet në urbanizëm; deputetja Besa Baftiu për sektorin e shëndetësisë, ku u fokusua në mungesën e barërave, në mosmenaxhimin e resurseve humane, si dhe në shkeljet e shumta që bëhen gjatë punësimit; Murat Mustafa nga nënkomiteti për arsim, i cili numëroi rreth 40 parregullsi vetëm në sferën e arsimit; Leonard Miftaraj nga nënkomiteti për ekonomi, i cili përmendi luksin e madh qeveritar përballë mungesës së investimeve, si dhe keqpërdorimet e shumta që ka bërë Komuna me tenderë; Sami Shabani nga nënkomiteti për kulturë, që theksoi problemet e shumta të kësaj fushe të anashkaluar nga Komuna; Nehat Osmani nga nënkomiteti për sport, ngriti shqetësimin e sportistëve për klubet e Gjilanit që po shuhen në mungesë të përkrahjes; si dhe Yll Islami për problemet e të rinjve.

Pas përfundimit të prezantimeve, u hap debati edhe me të pranishmit, të cilët shprehën shqetësimin e tyre për mënyrën e qeverisjes gjatë vitit 2014, dhe theksuan se qytetarët e Gjilanit çdo ditë e më shumë po zhgënjehen dhe po e humbin shpresën për një jetë më të mirë. /RadioRINIA/