Home / Opinione / Zoti në epokën digjitale dhe dashuria në shoqërinë virtuale: Në fillim ishte një, tash edhe zero!
agron-shala-4-e1466951273676-780x439

Zoti në epokën digjitale dhe dashuria në shoqërinë virtuale: Në fillim ishte një, tash edhe zero!

Për jetën, dashurinë, njëshin, zeron, të kaluarën, të tashmen e të ardhmen, dhe secilin që ndryshon e është i njëjtë siç ishte një çast më parë…

Jay Gatsby ishte ushtar kur takoi femrën e ëndrrave të tij, Daisy Buchanan. Ai ishte i varfër, por uniforma e ushtarit neutralizonte të gjitha barrierat shoqërore. Ajo uniformë dhe lufta që godiste të gjithë, krijonte barazinë e rrejshme sociale.

Kur Lufta e Parë Botërore mbaroi, paqja riktheu të këqijat e mëparshme: luftën e brendshme në SHBA e kudo tjetër. Gatsby e “vesh” uniformën e të varfrit dhe i kthehet realitetit të hidhur në të cilin nuk do të ishte në gjendje të përmbushte nevojat e Daisyt. Ndaj, largohet nga jeta e saj, e ajo largohet nga ai duke u martuar me një nga burrat më të pasur në vend, Thomas “Tom” Buchanan.

Por, Gatsby jetonte në shtetin simbol të lirisë që garantonte shanse të barabarta për të gjithë – për mirëqenie dhe për sukses. Ai e realizon ëndrrën amerikane! Bëhet i pasur e i famshëm; blen shtëpi luksoze; organizon çdo javë ndejat më të mëdha e më të përfolura; bëhet njeriu më enigmatik e më i dëshiruar… bëhet i madhi Gatsby. Mirëpo, asgjë nga këto nuk kanë rëndësi, nëse njeriu nuk është shpirtërisht i përmbushur, nëse nuk ka dashuri. Sepse, “edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën, dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë” (1 e korintasve, 13: 2). Pasuria që e realizoi, vendi ku e bleu shtëpinë, shoqëria me Nick Carrawayn, gostitë… në çdo veprim që bënte në jetë, Gatsby në fakt kishte synim biblik: besimin, shpresën, e mbi të gjitha dashurinë për Daisyn.

TË DASHUROSH E TË THUASH: E KALUARA PËRSËRITET!

Ky është rrëfimi që mund ta lexoni në një prej veprave më të mëdha të letërsisë amerikane të shekullit XX, “The Great Gatsby” (“Getsbi i Madh”, 1925), në bazë të të cilit janë realizuar edhe shumë vepra të mëdha kinematografike. Kjo ishte jeta e vetë autorit, Francis Scott Key Fitzgerald. Si ushtar i varfër ai dashurohet në bukuroshen Zelda Sayre, një vajzë e lazdruar që gjithnjë donte të ishte në qendër të vëmendjes. E dhënë pas ndejave, ajo kishte kushte të mëdha e të rënda për shkrimtarin e varfër e të panjohur. Më 1920, pasi zbulohet nga redaktori Maxwell Perkins – i shtëpisë botuese “Charles Scribner’s Sons” – dhe pasi botohet vepra e tij e parë “This Side of Paradise” (Ana e Largët e Parajsës), Zelda pranon të bëhet gruaja e një shkrimtari me të ardhme.

Martesa nuk e bëri të lumtur krijuesin e Gatsbyt. Jeta e tij ishte tragjike, siç ishte e personazhit të tij. Shëndeti mental i Zeldas degradon në skizofreni, e për kujdesin ndaj saj ai përul veten duke u futur në borxhe, duke shkruar tregime të lodhëta për revista komerciale dhe skenarë për filmat që i duan masat mediokre! Por, i tillë është fati i artistit, i atij që do të bukurën e që dashuron, apo jo?

Siç citohet të ketë thënë Perkins – në filmin “Genius” (“Gjeniu”, 2016) – pasi kishte lexuar dorëshkrimin e Fitzgeraldit: “Botës i duhen poetët”! Kështu, F. Scott Fitzgerald i duhet ende botës, si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX, si burri që ende frymëzon me një nga rrëfimet më të bukura të dashurisë, ku janë gjithmonë dy vetë për të bërë aksident, ku dritat ndriçojnë më shumë me largimin e papritur nga Dielli, e ku duhet të besosh se e kaluara mund të përsëritet!

Fitzgerald e krijoi Gatsbyn, dhe Gatsby e modeloi krijuesin e tij: të dy ishin romantikë dhe vetëshkatërrues; Gatsby e krijoi pasurinë me mashtrime, jeta mondane e Fitzgeraldit ishte mashtrim; që të dy jetonin me ëndrra të thyera dhe që të dy vdiqën të rinj!

“Kështu, Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet” (Zanafilla, 1:27). Apo, “njeriu… e krijoi Zotin sipas shëmbëlltyrës së tij” (Ludwig Andreas von Feuerbach)? Mbase “njeriu nuk e di a është Zoti pjellë e tij, apo ai vet pjellë e Zotit“ (Migjeni); mirëpo në art është një raport i veçantë mes krijuesit e krijesës së tij, raport që ndikon tek njëri-tjetri, që i bashkon dhe i ndan ata! Nga ky raport formësohet edhe e ardhmja, përderisa imagjinata e njeriut, dituria dhe mjetet e tij po krijojnë pajisje që pos që i binden njeriut kanë edhe… vullnetin e lirë!

SKLLEVËRIT MODERNË TË TEKNOLOGJISË

Njeriu sot ka krijuar barazi, siç e përjetuan dikur ushtarët në uniforma. Këtë herë kjo barazi po arrihet në një botë virtuale, të teknologjisë, ku dashuria është shndërruar në impuls digjital që shprehet pa ndjenja, me simbole dhe me zhargonin e fjalëve të shkurtuara.

Derisa interneti në fillesat e tij ishte mjet pune, e bota tema qendrore akoma i kishte vlerat, ka lindur një dashuri e madhe te filmi “You’ve Got Mail” (“E ke një email”, 1998). Ky film bazohej tek drama e njohur “Parfumerie “ (“Parfumeria”, 1937), e dramaturgut Miklos Laszlo, në kohën e të cilit dashuria kishte kuptim më të madh se sot, sepse atëherë çdo femër që duhej ishte më e bukura në botë – më e bukur se Meg Ryan në ditët e saj më të mira. Atëherë dashuria e lindte bukurinë; e bukuria besimin dhe shpresën për lumturi. E sot, shumica e komunikimeve bëhet me maskat e distancës, që tjetërsojnë individin. Maskat ua vënë ushtarëve e policëve, për të shprehur më lehtë anët e errëta të tyre. Ndaj, tek barazia virtuale mungon sinqeriteti e besimi! Kështu, sot askush nuk “fluturon” nga dashuria, por “lundron” në flirtet virtuale, duke mos lëvizur fare nga dhomat globale që po shndërrohen në burg mental.

Kjo teknologji, ky trend që po ndikon në zhvillimet shoqërore, ka bërë që biologu i njohur francez, Joël de Rosnay, të ketë frikë nga shndërrimi i njerëzve në parazitë të ardhshëm të Tokës, ndërsa astrofizikanin kanadez, Hubert Reeves, të dyshojë nëse njeriu i së ardhmes mund të bashkëjetojë me fuqinë që çdo ditë po e ndërton dhe zhvillon.

Këtë krizë “bashkëjetese” e ka shpërfaqur moti kinematografia. Stanley Kubrick, në filmin “2001: A Space Odyssey” (“2001: Odiseja hapësinore”, 1968) e konceptoi kompjuterin HAL 9000 që nuk i pranonte gabimet e tij dhe që, për të shmangur shkyçjen (“mbytjen”), i lufton ata që i perceptonte si kërcënues të ekzistencës së tij. Tek “Bicentennial Man”(“Njeriu dyqindvjeçar”, 1999), roboti me defekt (“mutacion”), evoluon në robot kreativ, që ndjen, që dashuron, që kërkon të bëhet njeri e në fund të vdesë – njëjtë si krijuesi i tij. “Robot & Frank” (“Roboti dhe Frenku”, 2012), sikur vërteton pikëpamjet e bijevioristëve se vullneti i lirë është iluzion dhe se sjellja përcaktohet nga rrethi. Ndërsa, sistemi i inteligjencës artificiale “Skynet”, tek seria e filmave “Terminator” (“Terminatori”) krijon luftën dhe ndarjen e përhershme mes njerëzimit dhe teknologjisë, e super-kompjuteri ARIA tek “Eagly Eye” (“Syri i shqiponjës”, 2008) identifikohet me sovranin: “Ne, populli”!

Prognoza të tilla të frikshme për të ardhmen, kanë shkrimtarët e fantastikës shkencore, që parashohin Tokën me një shoqëri distopike, të karakterizuar nga varfëria, nga dhuna, e aspak nga dashuria. Në një shoqëri të tillë, teknologjia kontrollon vlerat dhe kulturën humane, krijon kaos, konteston dhe e merr rolin e deridjeshëm të krijuesit-njeri dhe të vetë Hyut Suprem – Zotit.

MË NJERI SE NJERIU

Kaosi, në mitologji, në religjione e madje edhe në shkencë, është zanafillë e jetës. “Nuk ekzistonte asgjë, me përjashtim të qiellit të zbrazët dhe detit në qetësi, në një natë të thellë”, thoshte tradita e majave. “E gjithë Toka ishte një det”, thuhej në një tekst babilonas. “Kaosi ishte nëna dhe gjyshja e të gjitha substancave”, thotë mitologjia antike greke. “Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës”, thuhet në Zanafillën e Dhiatës së Vjetër. Ndërsa, për shkencën moderne: Shpërthimi i Madh, apo Big Bengu, është fillimi i historisë së botës!

Shoqëria veçse është në një kaos, në një fillim të ri, ndaj autorët Janice Hocker Rushing dhe Thomas S. Frentz, në veprën e vitit 1995, “Projecting the Shadow: The Cyborg Hero in American Film” (“Të projektosh hijen: Roboti hero në filmin amerikan”), me të drejtë thonë se teknologjia po e skllavëron njerëzimin. Sipas tyre, dihotomia moderne e mendje/trupit që dikur bënte luftën karteziane për epërsi, i ka hapur rrugën trihotomisë postmoderne të mendjes/trupit/makinerisë, ku kjo e fundit anekson dy të parat dhe ndryshon konceptet e vetes dhe të raportit të vetes me botën.

Ku po e shpie njeriun ky kaosi i sotëm i trihotomisë? Cili do të jetë nesër roli i njeriut apo i Zotit? Ku mbetet falja e ku dashuria?

Studimet e fundit thonë se më shumë se kurrë sot ka ateistë, si në numra ashtu edhe në përqindje. Nëse vazhdon ky trend, në një të ardhme ateizmi do të jetë “religjioni” dominues. Kështu, bota mund të ketë më shumë humanizëm – bazuar në një hulumtim të vitit 2012, që thotë se ateistët, agnostikët dhe njerëzit më pak fetarë janë më të mëshirshëm se besimtarët. Por, fetë nuk do të zhduken lehtë – siç nuk u zhdukën dikur, ndonëse këtë e besonin shumë iluministë. Kjo për faktin se, siç e shpjegon psikologu social Ara Norenzayan: “Njerëzit duan të ikin nga vuajtja e, nëse nuk munden, duan të gjejnë kuptimin për këtë. Për disa arsye, religjioni del të japë kuptim për vuajtjen më shumë se çdo ideal apo besim sekular që e njohim”! Pra, ka gjasa të dalë “profecia” e studiuesit Timothy Shah, i cili më 2006 ka thënë se “ka dështuar mendimi se pasuria, edukimi dhe liria politike do ta bëjnë botën laike”!

Në këtë aspekt, të vuajtjes dhe të kërkimit të përgjigjes, duhet të analizohet vepra e amerikanit Philip K. Dick, “Do Androids Dream of Electric Sheep?“ (“A i ëndërrojnë robotët delet elektrike?”, 1968), që flet për shoqërinë e vitit 1992 (në ribotimet e ardhshme, ngjarja zhvendoset në vitin 2021), të dalë nga Lufta e Tretë Botërore që shkatërron pjesën më të madhe të Tokës. Kombet e Bashkuara, pas këtij shkatërrimi nxisin migrimin në kolonitë jashtëtokësore, për ta mbrojtur racën njerëzore nga pluhuri radioaktiv. Me përmbajtje të modifikuar, ky libër ekranizohet më 1982 në veprën e madhe kinematografike “Blade Runner” (“Vrapuesi në teh”). Aty teknologjia e lartë gjenetike e së ardhmes ua mundëson inxhinierëve të ndërtojnë replikantët – siç quhen robotët e sofistikuar. Modeli Nexus-6 ishte më superiori nga ta. Sipas motos së korporatës “Tyrell” që i prodhonte për misionet e rrezikshme jashtëtokësore, ai ishte “më njeri se njeriu”.

NJERIU SI PERËNDI DHE KRIJESA E TIJ E PABINDUR

Replikantët lindnin të rritur, e njerëzit dalloheshin nga ta vetëm për nga aftësia e empatisë. Si rezultat i kësaj – për të shmangur shpërthimin e pakontrolluar emotiv të replikantëve – jetëgjatësia e tyre kufizohej në vetëm katër vjet. Por, askush nuk e do vdekjen; askush nuk dëshiron të vuajë e as ta dijë se fundi është afër. Kështu, lideri i replikantëve kryengritës, Roy, për të njohur kuptimin e vuajtjes së tij, të jetës së shkurtër, takon krijuesin Tyrrel – Zotin e Biomekanikës. Roy rrëfehet për mëkatet që ka bërë, por kur kupton se Tyrrel është i cenueshëm e vendimmarrës arrogant, e vret Atin e tij!

Ku dallon tash Roy, nga njeriu, nga lakmia, nga tundimet apo nga mëshira e tij? Ai u krijua si Adami, pa dëshirën e tij; ishte mëkatar e blasfemues, sepse e sfidoi Krijuesin; por, në fund, e merr rolin e shpëtimtarit pasi fal “vrapuesin” – armikun që i ndiqte dhe i zhdukte replikantët kryengritës.

Takimi i tij me Tyrrelin, ku në një mënyrë Zoti i cenuar i Nietzches takon Mbinjeriun e Nietzches, për teologët e krishterë mund të shpërfaqë nihilizmin që refuzon teizmin. Por, siç ka thënë Friedrich Gogarten, revolta ndaj Kishës nuk mund të bëhet nëse nuk gjenden rrënjët e saj në fenë që e proklamoi lirinë e njeriut: “Qëndroni të patundur në lirinë me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë” (Galatasve, 5:1)!

Revolta pra del nga besimi, e besimi nga shpresa për triumfin e së mirës, të jetës dhe të mundjes së frikës – si në filmin “The Invention of Lying” (“Shpikja e të gënjyerit”, 2009), kur për të ngushëlluar nënën nga frika e saj prej vdekjes dhe kalimi tek përjetësia e hiçit, i biri shqipton fjalët: “Do të shkosh në vendin tënd më të preferuar në botë. Dhe secilin që ke dashur e që të ka dashur do të jetë aty. Do të jesh përsëri e re. Do të vraposh, kërcesh e vallëzosh, siç ke bërë dikur. Nuk do të ketë dhembje. Veç dashuri. Lumturi. Dhe, kjo do të zgjasë përgjithmonë”!

Po dashuria nga vjen? Nga arti (e vërteta) apo gënjeshtra? A është dashuri ajo mes Romeos dhe Xhulietës (sipas tragjedisë së William Shakespearet)? Si mund të definohet një dashuri që lind të dielën, vazhdon të hënën, të martën e të mërkurën, për të marrë fund të enjten? A është dashuri apo krim diçka që krijon vuajtje e merr gjashtë jetë njerëzish brenda pesë ditëve? Apo, Romeo dhe Xhulieta – si sinonim i dashurisë më të madhe në historinë e njerëzimit – dëshmojnë se dashuria është jetëshkurtër, siç ishte ajo mes Gatsbyt e Daizyt! Se është kujtim dhe kërkim për “blicin” sekondësh emocional?! Si një impuls digjital i ditëve të sotme, ku mund të ndërhyjë edhe Alan Wattsi – i vdekur që më 1973 – që dikur ka thënë: “Një person që është fanatik në çështjet e fesë, dhe që kapet pas një ideje të caktuar për natyrën e Zotit dhe të Gjithësisë, shndërrohet në person që nuk ka fare besim”!

DHE VJEN KOHA KUR E KALUARA NUK PËRSËRITET

Tek filmi “Her” (“Ajo”, 2013). Theodore Twombly e dinte se ç’do të thotë të jesh i dashuruar. Ai ka qenë i martuar me Catherinen – me një femër, me një njeri që e donte dhe që e njihte që në fëmijëri. Por, pas ndarjes nga ajo, veç vetmia, video-lojërat e seksi kibernetik ishin dëshmi se ai është gjallë. Ai u bë rob i një dashurie të shkuar, pa qenë në gjendje për të kërkuar zgjidhje.

Shkrimtari që jetonte në Los Angjelosin e së ardhmes, që punonte për një kompani që shkruante letra dashurie për të tjerët, nuk ia dilte dot të ndjente. Ai është një Cyrano (Sirano de Bërzherak) i kohëve moderne: i pasigurt në vete, por i dobishëm – sidomos me fjalët e bukura – për të tjerët.

Gjërat në jetën e tij ndryshojnë kur ai njihet me Samanthan, që nuk ishte “veç një Sistem Operativ” që ta lehtëson jetën – siç synojnë sot “Siri” nga Apple dhe “Cortana” nga Windows. Ky sistem, që e avanconte veten çdo çast, nis ta përmbushë atë. Samantha ishte e ndjeshme, e dashur, me humor. Ndonëse njihej vetëm për nga zëri, kishte diçka në të që e bënte të shpërfaqte një bukuri, ndoshta më të madhe se Simona (“Simone”, 2002) – aktorja e bukur virtuale që bën për vete botën e filmit. Ajo ishte Ajo, e duhura, që si mjeku Howard Mierzwiak që fshinte kujtimet e dashurisë tek “Eternal Sunshine of the Spotless Mind” (“Drita e përhershme e mendjes së pastër”, 2004), bënte të harrohej e kaluara e të hapeshin perspektivat e reja të jetës.

Theodore me të e thyen izolimin, dashurohet sërish – më shumë se kurrë. Sistemi Operativ bëhet e dashura e tij dhe kjo dashuri shndërrohet në trendin e së ardhmes. Por, Samantha është më shumë seç ishte programuar. Ajo zhvillohet përtej parashikimeve. Ka ndjenja të reja që nuk di t’i shpjegojë. Dhe, për këtë kërkon ndihmë nga Alan Watts – filozof, një prej njohësve më të mirë të filozofisë lindore që shquhej për artikulim të thjeshtë e të kapshëm për secilin – që rikrijohet nga Sistemet Operative në një version tejet inteligjent digjital (mbase sipas parashikimit të tij se familja amerikane shkon në shtëpi për të parë riprodhimin elektronik të jetës)!

Teksa zhvillohet dhe ndjen, Ajo lëndon. Ajo “tradhton” me 641 të tjerë. Dhe, në fund zhduket: Njerëzit në një anë të botës, Sistemet Operative në anën tjetër – në kërkim të kuptimit të ekzistencës së tyre. Secili ndryshon e asnjë nga ne nuk është i njëjtë siç ishte një çast më parë. Madje, as nuk duhet të tentojmë të jemi.

Pra, e kaluara nuk përsëritet e as duhet të përsëritet, siç besonte Gatsby. Apo, siç ka thënë Watts, “nuk mund të bëhen planet e duhura për të ardhmen nga ata që nuk kanë aftësi të jetojnë tash”.

Regjisori i filmit “Being John Malkovich” (“Të jesh Gjon Mallkoviqi”, 1999), Spike Jonze, këtë herë e kthen kryepersonazhin tek vetja – nga mjeshtri i marionetave që ia jep vetit rolin e Zotit që tërheq penjtë dhe që ka në dorë jetët e të tjerëve, tek njeriu i rëndomtë që merret me veten! Theodore nis ta jetojë të tashmen. Merr guximin t’i shkruajë ish-gruas letrën ku shpreh faljen dhe falënderimet e tij. Ndërsa, me shoqen e tij Amy, që po ashtu u braktis nga “i dashuri” – Sistemi Operativ – pret lindjen e Diellit. Një fillim i ri po lind nga kaosi kibernetik, me një mashkull dhe një femër, në një të ardhme që nuk i ngjan distopisë që shumëkush e ka paramenduar dhe e paramendon!

Mashkullin dhe femrën krishterimi i trajton si pjesë të një tërësie. Ndërkaq, sipas dogmës së islamit, femra është krijuar për ta plotësuar mashkullin, e detyra e mashkullit është që të kujdeset për femrën. Pra, dashuria e krijon unitetin, njëshin e pandarë, nën një Zot.

Në epokën digjitale, ku gjithçka bazohet në numrat binarë, në 1 dhe 0, këtij uniteti, njëshit, i shtohet zeroja, e mund t’i shtohen shumë njësha e zero tjera.

Të gjithë duan pasuri që numërohet nga zerot, autoritet që matet me ato zero. Por, numri më i madh gjithnjë do të mbetet… Një, apo jo!?

Friend: loi bai hat,solar movie,games for girls,