Home / Politika / Zyrtari amerikan përkrah Mustafës në takim me Vuçiqin në Bruksel
amerikan

Zyrtari amerikan përkrah Mustafës në takim me Vuçiqin në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me sa duket do të vazhdojë dialogun me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, pavarësisht deklaratave të tij se nuk do të merrte pjesë në dialog pa iu dhënë drita e gjelbër Kosovës për vizat.

Koha.net, nga burime qeveritare, ka mësuar se e gjitha varet nga vizita e nesërme në Prishtinë e ndihmëssekretarit amerikan për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee.

Burimet e njëjta bëjnë me dije se në takimin e ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i cili pritet të zhvillohet të mërkurën në mëngjes, pritet të merr pjesë edhe zyrtari amerikan Yee.

Takimi i së mërkurës, sipas burimit, nuk do të jetë vazhdim i dialogut Kosovë – Serbi, por më shumë takim për caktim të agjendës për këtë vit mbi temat që do të mund të dialogohen mes dy vendeve, por edhe do të diskutohen të gjitha arritjet dhe ngecjet në dialogun e deritanishëm.

Edhe pse Qeveria e Kosovës nuk ka njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e Mustafës në Bruksel, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka deklaruar gjatë një raportimi në Kuvend se, kryeministri kosovar do të udhëtojë dhe do të marrë pjesë në dialogun e Brukselit.

Çollaku tha se nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat e kryeministrit, për kushtëzim të dialogut me liberalizim të vizave, por – sipas tij, – kur nisi dialogu në Bruksel, palët kanë rënë dakord që askush nuk mundet të vendosë kushte në dialog. /RadioRINIA/